NJOFTIM – VENDIM I GJYKATËS EVROPIANE PËR TË DREJTAT E NJERIUT “XHOXHAJ K. SHQIPËRISË”, KËRKESA NR. 15227/19

Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GjEDNj) në datën 09.02.2021, ka shpallur vendimin, për aplikimin nr. 15227/19, që i përket çështjes “Xhoxhaj k. Shqipërisë”.[1]

Kjo çështje është paraqitur në GjEDNj nga kërkuesja A.XH, ish anëtare e Gjykatës Kushtetuese kundër procesit të rivlerësimit të zhvilluar ndaj saj, njohur ndryshe si procesi i vetingut. Kërkuesja kishte ngritur një sërë pretendimesh në kuadër të procesit të rregullt ligjor, sipas Nenit 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNj), duke kundërshtuar kështu legjitimitetin e trupave të rivlerësimit dhe procesin në tërësi. Veç kësaj, kërkuesja kishte pretenduar se pasojë e shkarkimit nga detyra, ajo ishte cënuar në të drejtën e saj për jetë private dhe familjare garantuar nga Neni 8 i KEDNj.

Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, në përfundim të shqyrtimit të kërkesës, vendosi me shumicë votash se:

–        Nuk ka shkelje të Nenit 6 § 1 sa i përket pretendimit lidhur me mungesën e pavarësisë dhe paanësisë së organeve të Vetting-ut;

–        Nuk ka shkelje të Nenit 6 § 1 sa i përket pretendimit referuar parregullsisë së procedimeve;

–        Nuk ka shkelje të Nenit 6 § 1 sa i përket pretendimit lidhur me mungesën e mbajtjes së një seance publike përpara KPA;

–        Nuk ka shkelje të Nenit 6 § 1 sa i përket pretendimit për cënimin e së drejtës për siguri juridike;

–        Nuk ka shkelje të Nenit 8.”

Gjykata në arsyetimin e vendimit, ka vlerësuar se Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dhe Kolegji i Posaçëm i Apelimit, përmbushin kriteret e përcaktuara nga Konventa dhe jurisprudence e Gjykatës për tu konsideruar “gjykatë e pavarur, e paanshme dhe e krijuar me ligj” Gjithashtu, Gjykata ka vlerësuar se procesi i rivlerësimit në tërësi dhe ndaj kërkueses ka ndjekur një qëllim legjitim për pasjen e një gjyqësori të pavarur e të paanshëm dhe larg ndikimeve korruptive. Duke vlerësuar gjendjen e Gjyqësorit në Republikën e Shqipërisë e duke ju referuar opinioneve të Komisionit të Venecias për ndryshimet kushtetuese dhe për ligjin nr. 84/2016 “Për procesin e rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, Gjykata ka vlerësuar se ky proces është i nevojshëm dhe një masë proporcionale, referuar kushteve në të cilat gjendej sistemi i drejtësisë.

Institucioni i Avokaturës së Shtetit ishte pjesë e këtij procesi duke përfaqësuar Republikën e Shqipërisë para GjEDNJ, sipas parashikimeve të ligjit nr. 10018/2008 “Për Avokaturën e Shtetit” të ndryshuar. Gjatë kësaj periudhe, nga komunikimi i çështjes nga Gjykata dhe gjatë fazës së paraqitjes së komenteve, kemi bashkëpunuar ngushtë me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit, si udhëheqëset e këtij procesi, e me këtë rast shprehim falënderimet për rolin e tyre.

Vendimi është njoftuar për palët dhe publikun në datën 09.02.2021. Sipas nenit 44/2 të Konventës, ky vendim do të bëhet final nëse brenda 3 muajve nga njoftimi, asnjëra nga palët nuk paraqet ankim për Dhomën e Madhe të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.