Avokatura e Shtetit me rastin e 15 vjetorit të hyrjes në fuqi të ligjit për Avokaturën e Shtetit organizoi një konferencë me pjesëmarrjen e Ministrit të Drejtesise, Zotin Nasip Naço, Kryetarin e Gjykatës Kushtetuese z. Bashkim Dedja, Kryetarin e Gjykatës së Lartë z. Xhezair Zaganjori, Kryetarin e Komisionit të Ligjeve z. Fatmir Xhafaj, Drejtuesin e Shkollës së Magjistraturës z. Sokol Sadushi, Dhomën Kombëtare të Avokatisë Z. Artan Hajdari, dhe Avokaten e Parë të Përgjithshme të Shtetit znj. Flutura Kona, e cila e ka themeluar këtë institucion.
Avokatja e Përgjithshme e Shtetit, Znj. Alma Hicka në fjalën e saj përshëndetëse falënderoi të gjithë pjesëmarrësit dhe tregoi një historik të shkurtër të krijimit te institucionit, vështirësive dhe sfidave që ka hasur deri në arritjen e përmbajtjes së sotme, si dhe foli mbi veprimtarinë e Avokaturës së Shtetit ku futen: përfaqësimi dhe mbrojtja e interesave pasurorë të shtetit në çdo shkallë gjykimi si në gjykatat kombëtare, ashtu dhe në ato ndërkombëtare, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut në Strasburg dhe Arbitrazhin Ndërkombëtar. Znj. Hicka foli mbi reformën në ligjin e Avokaturës së Shtetit, pjesë e reformave që tashmë kanë përfshirë, apo do të përfshijnë në të ardhmen të gjithë sistemin gjyqësor. Ndryshime thelbësore priten edhe për avokatet e shtetit, duke nisur nga mënyra e rekrutimit dhe përgatitja paraprake e tyre që do të jetë e ngjashme dhe/ose e barabartë me gjyqtarët dhe prokurorët. Avokatura e Shtetit në 100 ditët e para të qeverisjes rëndit si suksese të punës së saj 57 milion euro në vlerë çështje të fituara dhe rreth 800 ha në sipërfaqe tokë shtet të fituar. (Klikoni këtu për të lexuar fjalën e plotë të znj. Hicka)
Z. Naco, Ministri i Drejtësisë vlerësoi punën e deritanishme të Avokates së Përgjithshme, znj. Alma Hicka si dhe u shpreh i vendosur për reformimin e Avokaturës së Shtetit, në mënyrë që të përmbushë standardet e BE-së.
Z. Dedja dhe Z. Zaganjori përkatësisht kryetari i Gjykatës Kushtetuese dhe ai i Gjykatës së Lartë përshëndetën aktivitetin duke vënë edhe njëherë në dukje rëndësinë dhe specifikën e veçantë që Avokatura e Shtetit ka në sistemin gjyqësor.
Z. Xhafaj, Kryetari i Komisionit të Ligjeve shprehu mbështetjen nga ana e Komisionit të Ligjeve për ndryshimet që priten të bëhen në ligjin për Avokaturën e Shtetit.
Z. Sadushi, Drejtor i Shkollës së Magjistraturës premtoi për një bashkëpunim më të madh dhe më konkret me Avokaturën e shtetit në kuadër edhe të Memorandumit të Bashkëpunimit që Shkolla e Magjistraturës ka me Avokaturën e Shtetit që prej vitit 2012, në mënyrë që auditorët e kësaj shkolle të cilat shërbejnë për shkollimin, trajnimin dhe specializimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve te përfshijnë edhe avokatët e shtetit në këtë proces.
Znj. Flutura Kona, Avokatja e Parë e Përgjithshme e Shtetit rikujtoi edhe njëherë disa figura të rëndësishme të Avokaturës së shtetit ndër vite si Spiro Peçi, Guxim Zenelaj, Eduard Halimi etj.
Z. Artan Hajdari, përfaqësues i Dhomës Kombëtare të Avokatisë, i uroi sukses të mëtejshëm Avokaturës dhe theksoi një bashkëpunim me të madh midis Avokaturës së Shtetit dhe Dhomës së Avokatisë nëpërmjet konferencave të përbashkëta dhe shkëmbimit të eksperiencave.