Aktivitet i përbashkët i Avokaturës së Shtetit dhe Zyrës së Këshillit të Europës në Tiranë, për prezantimin e Manualit të ri mbi jurisprudencën e GJEDNJ-së për vitet 2023-2024

Në datën 4 dhjetor 2024, Avokati i Përgjithsëm i Shtetit, zoti Odise Moçka mori pjesë në prezantimin e Manualit më të ri me vendimet e përzgjedhura të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (2023-2024), i cili u realizua me mbështetjen e Këshillit të Evropës dhe Bashkimit Evropian.

Ky manual është përgatitur në kuadër të projektit Përmirësimi i mbrojtjes së të drejtës së pronës dhe lehtësimi i ekzekutimit të vendimeve të GJEDNJ në Shqipëri, bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Evropës dhe zbatuar nga Këshilli i Evropës nën programi Instrumenti Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë III.

Në fjalën e tij në këtë takim, zoti Moçka falenderoi Zyrën e Këshillit të Evropës në Tiranë për mbështetjen e vazhdueshme ndaj institucionit të Avokaturës së Shtetit dhe Bashkimin European, duke theksuar se ky manual është një instrument shumë i dobishëm, jo vetëm për Avokaturën e Shtetit, si institucioni që përfaqëson shtetin shqiptar në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, por për të gjithë profesionistët e ligjit dhe institucionet shqiptare për të përmirësuar kuptueshmërinë mbi standardet evropiane të të drejtave të njeriut, por dhe për të harmonizuar praktikat në përputhje me jurisprudencën e Gjykatës e cila është gjithmonë në zhvillim.  Në punën tonë të përditshme u shpreh zoti Moçka, çdo çështje apo praktikë e brendshme analizohet në optikën e GJEDNJ-së, për të harmonizuar qëndrimet tona me ato të Gjykatës për të parandaluar në këtë mënyrë konstatimin e shkeljeve në të ardhmen.

Në përfundim, zoti Moçka iu referua dhe sfidave të reja me të cilat përballen sot shoqëritë moderne, sa i përket mbrotjes dhe respektimit të të drejtave të njeriut nën dritën e inovacioneve teknologjike, duke vlerësuar përfshirjen në manual të praktikës së Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut lidhur me këto çështje, të cilat përbëjnë një shqetësim gjithnjë e në rritje globalisht.

Në takim, nga të gjitha të pranishmit, u theksua dhe rëndësia që ka ky manual sa i përket procesit të negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, në kuadër të Kapitullit 23 “Gjyqësori dhe të drejtat themelore”.