Avokatura e Shtetit me mbështetje të GIZ dhe OSCE organizon aktivitetin “Përkthim dhe Botim të Vendimeve të Përzgjedhura të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut të Vitit 2015”

Sot, më 16 Dhjetor 2016, Avokatura e Shtetit, me mbështetjen e GIZ dhe OSCE, realizoi aktivitetin me tematikë “Përkthim dhe Botim të Vendimeve të Përzgjedhura të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut të Vitit 2015”.

Në këtë event morën pjesë përfaqësues të fushës ligjore, duke përfshirë gjyqtarë, avokatë, juristë dhe pedagogë. Aktiviteti u përshëndet nga Z. Bashkim Dedja, Kryetar i Gjykatës Kushtetuese, Z. Sokol Sadushi, Drejtor i Shkollës së Magjistraturës, Prof.Dr. Aurela Anastasi, Pedagoge, Fakultetit i Drejtësisë, si dhe përfaqësues nga GIZ dhe OSCE, partnerë në këtë projekt, të cilët në fjalën e tyre theksuan se ky bashkëpunim ishte i frytshëm dhe shpresojnë për vazhdimësinë e tij në të ardhmen.

Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, z. Bashkim Dedja, theksoi rëndësinë e zbatimit të standarteve ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dhe ndihmesën që jep ky botim në këtë cështje. Si dhe shprehu gatishmërinë për të bashkëpunuar në të ardhmen në projekte të tilla.

Drejtori i Shkollës së Magjistraturës, z. Sokol Sadushi theksoi gjithashtu rëndësinë e këtij botimi për profesionistët e së drejtës dhe përgëzoi Avokaturën e Shtetit e cila mendoi për këtë botim duke shprehur gatishmërine e Shkollës së Magjistraturës për të bashkëpunuar në të ardhmen për këtë cështje.

Avokatja e Përgjithshme e Shtetit në fjalën e hapjes tha:

“Më  jep kënaqësi të madhe t’Ju uroj mirëseardhjen në emër të Avokaturës së Shtetit dhe për të thënë se sa mirënjohës jemi për prezencën e OSBE-së dhe GIZ Albania, të cilët e kanë pranuar ftesën tonë për të qenë të pranishëm dhe, mbi të gjitha, për bashkëpunimin në projektin e këtij institucioni, për përkthimin dhe publikimin e vendimeve të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, në gjuhën shqipe.

Gjithashtu, dëshiroj të falënderoj Juristët dhe Avokatët e Shtetit, në Avokaturën e Shtetit, si dhe studentët e Fakultetit të Drejtësisë të Tiranës të cilët dhanë ndihmesën e tyre për përmbushjen  me sukses të objektivave të këtij projekti.

Projekti i filluar tashmë me sukses, i cili jam e bindur që do të vijojë dhe në të ardhmen, është një inisiativë e jona,  në bashkëpunim me Regjistrin e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, për përzgjedhjen, përkthimin dhe publikimin e vendimeve kryesore të Gjykatës Evropiane, në gjuhën shqipe. Synimi i përgjithshëm është realizimi aksesit sa më të madh të institucioneve vendase dhe të publikut, në vendim-marrjet e GjEDNj, jurisprudencën e saj mbi standartet e Konventës e cila, në bazë të Kushtetutës së Shqiperisë dhe jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese dhe  të Gjykatës së Lartë, ka edhe vlera të burimit të ligjit..

Aderimi i Republikës së Shqipërisë në Këshillin e Evropës, një ndër institucionet e të cilit është dhe Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, nënshkrimi dhe ratifikimi i Konventës Evropiane “Për të Drejtat e Njeriut dhe Liritë Themelore” dhe i Protokolleve të saj Shtesë, është shoqëruar me detyrimin e Shqipërisë të ekzekutojë vendimet e kësaj gjykate, jo vetëm në aspektin individual, por edhe në lidhje me detyrimet e përgjithëshme të përcaktuara në vendim.

Është Neni 46 i Konventës Evropiane “Për mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore”, i cili parashikon se Palët e Larta Kontraktuese, duhet të marrin përsipër të respektojnë vendimin e formës së prerë të Gjykatës, në çdo çështje ku ato janë palë. Ndryshimet e fundit në Kodin e Procedurës Civile kanë njohur mundësinë e rishikimit të vendimeve mbi bazën e vendim-marrjeve të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Ndërsa, në aspektin penal, kjo rrethanë është rregulluar me vendimmarrje të Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë.

Fuqia dhe Ekzekutimi i këtyre vendimeve është rrjedhojë edhe i parashikimeve Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, të cilat përcaktojnë hierarkinë e normave të së drejtës në Republikën e Shqipërisë; epërsinë e Konventës dhe efektet e drejtpërdrejta të vendimeve të Gjykatës mbi normat e brendshme, të cilat vijnë në kundërshtim me Konventën apo vendimet e Gjykatës.

Një vendim i Gjykatës Evropiane, i cili gjen shkelje të të drejtave të njeriut nga një shtet Palë në Konventë i imponon këtij të fundit një detyrim ligjor, jo vetëm për të paguar shpërblimin e drejtë, ne favor të ankuesit në çështjen konkrete, por edhe për të zgjedhur, nën mbikëqyrjen e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, në mbledhjet e tij për të Drejtat e Njeriut, mjetet e përgjithshme, që do të implementohen në kuadrin e brendshëm ligjor dhe administrativ. Mjete, përdorimi i të cilave, do ti japin fund gjendjes së shkeljes apo shkeljeve të konstatuara nga Gjykata, gjithashtu do të mundësojnë përqase të mëtejshme të legjislacionit dhe të praktikave të brendshme, me Konventën dhe jurisprudencën e Gjykatës.

Jurisprudenca e Gjykatës Evropiane është një mjet i rëndësishëm për të arritur një shkallë të gjerë të harmonizimit të zbatimit dhe të përafrimit të legjislacionit vendor me parashikimet dhe parimet e Konventës. Kjo jurisprudencë, e Gjykatës Evropiane, duhet të nxisë qeverinë, subjekte të tjerë që ushtrojnë inisiativa ligjbërëse, anëtarët e Kuvendit dhe organizma të tjera legjislative, që në fazën e hartimit të legjislacionit, në ballafaqim me praktikën bashkëkohore evropiane, të vlerësojnë nëse iniciativa është në përputhje me Konventën, dhe nëse aktiviteti i tyre ligjbërës është në të njëjtën linjë me gjetjet e Gjykatës Evropiane dhe, me standardet e përcaktuara prej saj në interpretim të normave të Konventës.

Jurisprudenca e Gjykatës Evropiane, tashmë nuk duhet thënë është e nevojshme, por është e domosdoshme, të mbahet parasysh dhe ti shërbejë sistemit gjyqësor, organeve që realizojnë dhënien e drejtësisë, organeve të ndjekjes penale, si dhe stukturave ndihmëse.

Zgjidhjet e dhëna në vendimet e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, nuk kufizohen vetëm në interpretimin e ngushtë të dispozitave të Konventës. Në ato vendime janë të trajtuara institucione të të drejtës materiale dhe procedurale, jo vetëm në lidhje me dispozitat e Konventës, por edhe që i përkasin legjislacionit vendas.

E drejta e jetës, e drejta e pronës, e drejta familjare dhe shumë degë të tjera të së drejtës, të rregulluara në Kushtetutën e Republikës dhe me ligjet përkatëse kanë në themel, të njëjtat parime të mbrojtura nga Konventa.

Vendimet e Gjykatës Evropiane, me problematikat që trajtojnë dhe zgjidhjet që përvijojnë mund të shërbejnë edhe si udhërrëfyes për administratën publike, në veçanti në trajtimin e një procesi të rregullt ligjor, në proceset administrative të të gjitha natyrave.

Avokatët që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në mbrojtje jo vetëm të klientëve, por edhe të procesit të rregullt ligjor, dhe sistemit të drejtësisë në përgjithësi, do të kenë një mundësi më tepër, për të njohur dhe përdorur jurisprudencën e Gjykatës Evropiane, në një fushë të gjerë objektesh dhe tematikash, duke filluar që nga e drejta e privatësisë dhe e drejta e jetës familjare, ballafaqimi i tyre me të drejtën e fjalës së lirë; e drejta për të mos iu nënshtruar torturës apo trajtimit çnjerëzor; e drejta e jetës; e drejta për tubim; të drejtat procedurale të personave të akuzuar apo të burgosur dhe një numër i gjerë të drejtash, themelore dhe procedurale që lindin nga Konventa.

Kjo përmbledhje është botuar me qëllim vënies e saj në dispozicion të profesionistëve në fushën e drejtësisë në Republikën e Shqipërisë, duke përfshirë këtu gjyqtarë të gjykatave të të gjitha shkallëve të gjyqësorit, avokatë dhe profesionistë të ndryshëm të drejtësisë, anëtarë të shoqërisë civile dhe të organizatave të të drejtave të njeriut, institucioneve të ndryshme në fushën e të drejtave të njeriut dhe subjekteve të tjerë të përfshirë në këtë fushë.

Në këto këndvështrime, Avokatura e Shtetit e ka çmuar të nevojshëm përkthimin dhe publikimin e përmbledhjeve vjetore të vendimeve më të rëndësishme të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Duke lënë mënjanë modestinë, ne e vlerësojmë këtë nisiativë të dobishme, me vlera për gjyqësorin shqiptar, për institucionet e tjera të administratës shtetërore, si dhe për individin, inisiativë e cila duhet të vazhdojë të inkurajohet në të ardhmen.”

Deklaratë për shtyp e Avokates së Përgjithshme të Shtetit

Në një deklaratë për shtyp të dhënë sot, më 18.11.2016, Avokatja e Përgjithshme e Shtetit ka thënë:

“Sot mësova se në seancën e djeshme të parlamentit, deputeti Ben Blushi, duke përfituar nga mundësia që i jep detyra e tij, më ka përgojuar, sepse sipas tij paskam refuzuar t’i jap një dokument që më ka kërkuar. Ai gënjen! E vërteta është se deputeti Ben Blushi nuk ka bërë asnjë kërkesë zyrtare për të marrë ndonjë dokument nga unë, apo Avokatura e Shtetit. Nëse ai e quan kërkesë mesazhin e tij telefonik, të cilit i jam përgjigjur në mënyrë ezauruese, vetëm për shkak të një detyrimi qytetar, do të duhej një leksion për fillestarët lidhur me çfarë quhet dhe si bëhet një kërkesë për marrje dokumentacioni zyrtar. Por Ben Blushi është edhe deputet dhe si i tillë ai presupozohet që jo vetëm ka të drejtë të mbajë fjalime, ku mund të gënjejë sa të dojë, në një forum ku unë nuk kam mundësi ti jap përgjigje, por ka edhe detyrimin të njohë ligjet që ka votuar vetë. Kështu që leksionin e nevojshëm për rregullimin ligjor në fjalë, nuk mund t’ia jap unë edhe po të doja ta bëja një gjë të tillë.

Megjithatë, meqë deputeti gënjeu publikisht, unë i kam borxh publikut një të vërtetë lidhur me deputetin gënjeshtar. Ben Blushi është pjesë e çështjes gjyqësore mes shtetit shqiptar dhe Francesco Becchettit, për historinë e njohur si “skandali i plehrave”, në lidhje me kontratën koncesionare të firmosur në vitin 2004. Deputeti, asokohë ministër i pushtetit lokal, ka qenë një ndër firmëtarët e kontratës, e cila kishte për qëllim final, t’i hapte rrugën importit të plehrave për djegie apo asgjësim në Shqipëri. Meqënëse vetëm për shkak të atyre firmave, ndër të tjera dhe ajo e Z. Blushi, shteti shqiptar gjendet në situatën absurde ku duhet të mbrohet kundrejt një padie prej disa qindra miliona eurosh, në detyrën time zyrtare dhe për interesat e shtetit shqiptar, i kam kërkuar Z. Blushi të jap dëshmi për ato që flet në media. Por ndërsa unë ndjeva detyrimin qytetar ti përgjigjem dhe ta sqaroj z. Blushi për një interesin e tij privat, ai nuk ndjeu asnjë detyrim ti ngrinte telefonin Avokates së Përgjithshme të Shtetit, për një cështje me interes publik.  Z. Blushi ato që thotë, nuk ka dëshirë ti përsërisë në gjyq dhe nuk ka pranuar të dëshmojë në interes të shtetit Shqiptar. Pse-në unë as nuk e di dhe as nuk mund ta marr me mend, por kjo është e vërteta.

I sugjeroj me dashamirësi Z. Blushi ti drejtohet Z. Becchetti për dokumentat që kërkon dhe që ka negociuar me të, sepse sigurisht ky i fundit jo vetëm i diponon me firmën e tij, por ka edhe një detyrim moral që tia japë.”

 

Intervista e Avokates së Përgjithshme të Shtetit në Ora News mbi ligjin e pronave

 

Intervista e plotë (video)

Avokatja e Përgjithshme e Shtetit, znj. Alma Hicka, tha në studion e lajmeve të Ora News se impakti i ligjit të pronave është i jashtëzakonshëm nga ana financiare dhe nëse Gjykata Kushtetuese hedh poshtë ligjin, shteti do të përballet me një detyrim prej 46 milionë euro.

Alma Hicka: Pra impakti i ligjit është i jashtë zakonshëm edhe për dosjet në shqyrtim në gjykatën e Strasburgut. Ata kanë pretendimet tona, ne i kemi vlerësuar me formulën e ligjit të ri. Pra është me një impakt të jashtëzakonshëm financiar vazhdimi i vendimmarrjes nga Gjykata e Strasburgut. Po të kemi në konsideratë buxhetin e shtetit dhe mundësitë financiare të shtetit shqiptar, një hedhje poshtë e ligjit nga Gjykata Kushtetuese do të thotë një vazhdim i vendimmarrjes të Gjykatës së Strasburgut, do të thotë që shumë shpejt ne të përballemi me një detyrim të tillë që unë jua përmenda në vlera, minimalisht 46 milionë euro për tu paguar menjëherë kundrejt pronarëve.

Pra situata për buxhetin e shtetit është shumë e rënduar nëse skema e paraqitur nga ky ligj do të hidhej poshtë nga Gjykata Kushtetuese sepse ne po presim kalimin në Gjykatën Kushtetuese në mënyrë që pastaj tja paraqesim atë gjykatës së Strasburgut, edhe Gjykata e Strasburgut pop ret vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese. Biles ne në mënyrë informale ka filluar tashmë, sepse zyra e Avokatit të Shtetit mban dhe komunikimet me Gjykatën e Strasburgut dhe ata kanë filluar që sot të pyesin edhe informalisht se çfarë impakti ka vendimmarrja e Gjykatës Kushtetuese  mbi ligjin. Ne jemi të shqetësuar për të parë se cili do të jetë arsyetimi përfundimtar i Gjykatës Kushtetuese sepse kjo ka pasojë jo vetëm për procesin e brendshëm, por edhe mbi ato të cilat janë dosje pezull dhe që priten me një faturë të jashtëzakonshme financiare.

Hicka: Pika 5 e ligjit, në favor të pronarëve

Hicka sqaroi edhe pikën 5 të nenit 6, e cila tha se qëllimi ka qenë në favor të pronarëve. Ajo u shpreh se sipas kësaj pike prona e cila dilte e tepërt të kalojë automatikisht në fondin e kompensimit.

Hicka: Pika 5 e ligjit ka pasur një qëllim shumë specifik në favor të pronarëve. Këtu është komentuar publikisht që pika 5 e nenit 6 do të bëjë obez shtetin shqiptar sepse shteti shqiptar do të marri pronat e pronarëve dhe do përdorë për vetë në një mënyrë tërësisht të papërgjegjshëm. Në fakt pika 5 e ligjit ka pasur për qëllim që prona e cila dilte e tepërt të kalojë automatikisht në fondin e kompensimit. Pra nëse sot fondi i kompnesimit ushqehet vetëm me vendim të këshillit të ministrave në një procedurë të stërgjatur dhe që shpesh herë të vështirë për tu future në fondin e kompensimit, në pikë 5 të nenit 6 ajo pronë kalonte automatikisht në fond dhe kjo do të thoshte se nëse një pronar kishte një vendim tjetër kompensimi aim und të fitonte përsëri pronën e vet me anë të ankandeve. Mua më vjen keq nëse kjo është shkëputur nga ligji.

Hicka: Në Strasburg janë 84 dosje

Hicka  shpreh se në Gjykatën e Strasburgut janë 84 dosje që nga pronarët vlerësohen me një pretendim prej 630 milionë euro.

Alma Hicka: Ligji është në Strasburg, ligji është një përgjgije e qeverisë shqiptare ndaj kërkesës së Strasburgut për të ndërtuar një mekanizëm efektiv të brendshëm. Sot ne kemi në Strasburg 84 dosje të cilat vlerësohen në një pretendim për ish-pronarët  prej 630 milionë euro dhe vetë në formulën e re ajo është prej 46.4 milionë euro ashtu siç vlerësohet nga qeveria.

Burimi: www.oranews.tv

Procesi i njohjes dhe ekzekutimit të vendimeve të huaja të arbitrazhit në Shqipëri

EZH_2292

Në datë  27 Tetor 2016 , ICC Albania në bashkëpunim me Optima Legal & Financial organizoi një forum të formatit (ICCYAF) me temën kryesore: “Roli dhe funksioni i gjykatave në proceset e arbitrazhit’’.

Në panelin e këtij forumi ishte edhe Avokatja e Përgjithshme e Shtetit, znj. Alma Hicka, e cila foli mbi eksperiencën e Avokaturës së Shtetit në procesin e njohjes së vendimeve përfundimtare të arbitrazhit në Shqipëri.

EZH_2376 Në fjalën e saj, Avokatja e Përgjithshme tha se  Avokatura e Shtetit është institucioni i ngarkuar me përfaqësimin e interesave të shtetit në procedimet e arbitrazhit të huaj apo ndërkombëtar, dhe në kuadër të këtyre kompetencave ka një përvojë të akumuluar edhe në procesin e njohjes dhe zbatimit të vendimeve të huaja të arbitrazhit. Pikërisht këtë përvoje të përftuar Avokatja e Përgjithshme e Shtetit e ndau me pjesëmarrësit në seminar.

Në terma më konkretë, Avokatja e Përgjithshme e Shtetit, pasi parashtroi një kuadër të përgjithshëm informues mbi bazën ligjore ndërkombëtare dhe vendase ekzistuese të procesit të njohjes dhe zbatimit të vendimeve të huaja të arbitrazhit, tërhoqi vëmendjen e pjesëmarrësve mbi mangësitë dhe/ose ngërçet procedurale të legjislacionit shqiptar të zbatueshëm, duke paraqitur edhe raste konkrete të materializimit të këtyre mangësive dhe ngërçeve procedurale.

Ftesë për negociata / Bidding invitation

NJOFTIM FTESE PËR NEGOCIATA (see below for English)

Bazuar në nenin 18 të Ligjit nr. 10018 datë 13.11.2008 Për Avokaturën e Shtetit”, nenin 2 të Ligjit 77/2016 “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për negocimin dhe lidhjen e kontratës ndërmjet shtetit shqiptar dhe kompanisë “Star Bridge Port Developments Limited”, me objekt projektimin, ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe menaxhimin e portit të Karpenit, zonës mbështetëse të portit dhe asaj ekonomike, Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 392 datë 8.04.2009 “Për marrëdhëniet e Avokaturës së Shtetit me institucionet dhe entet publike, rolin e avokatëve të shtetit në gjykim si dhe normat e posaçme procedurale” dhe Urdhrin nr. 91 datë 23.09.2016 të Avokatit të Përgjithshëm të Shtetit, Avokatura e Shtetit paraqet njoftimin e mëposhtëm për Ftesën për Negociata.

Autoriteti Kontraktues: Avokatura e Shtetit e Republikës së Shqipërisë me adresë: Ministria e Drejtësisë, Blv “Zogu I” Tiranë, Shqipëri.

Objekti i Ftesës për Negociata/Shërbimet: Asistenca e Komisionit të Negocimit të Kontratës, në zhvillimin e procesit të negocimit të propozimit të paraqitur dhe lidhjes së kontratës me objekt projektimin, ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe menaxhimin e portit të Karpenit, zonës mbështetëse të portit dhe asaj ekonomike, ndërmjet shtetit Shqiptar dhe shoqërisë “Star Bridge Port Developments Limited”.

Shprehja e interesit:  Të interesuarit mund të kërkojnë informacion më të detajuar si dhe formatin e plotë të Ftesës për Negociata, duke kontaktuar personin e mëposhtëm brenda datës 29.09.2016:

Brunilda Lilo
Avokat Shteti
Email: brunilda.lilo@avokaturashtetit.gov.al

Continue reading