Sot, më 16 Dhjetor 2016, Avokatura e Shtetit, me mbështetjen e GIZ dhe OSCE, realizoi aktivitetin me tematikë “Përkthim dhe Botim të Vendimeve të Përzgjedhura të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut të Vitit 2015”.
Në këtë event morën pjesë përfaqësues të fushës ligjore, duke përfshirë gjyqtarë, avokatë, juristë dhe pedagogë. Aktiviteti u përshëndet nga Z. Bashkim Dedja, Kryetar i Gjykatës Kushtetuese, Z. Sokol Sadushi, Drejtor i Shkollës së Magjistraturës, Prof.Dr. Aurela Anastasi, Pedagoge, Fakultetit i Drejtësisë, si dhe përfaqësues nga GIZ dhe OSCE, partnerë në këtë projekt, të cilët në fjalën e tyre theksuan se ky bashkëpunim ishte i frytshëm dhe shpresojnë për vazhdimësinë e tij në të ardhmen.
Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, z. Bashkim Dedja, theksoi rëndësinë e zbatimit të standarteve ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dhe ndihmesën që jep ky botim në këtë cështje. Si dhe shprehu gatishmërinë për të bashkëpunuar në të ardhmen në projekte të tilla.
Drejtori i Shkollës së Magjistraturës, z. Sokol Sadushi theksoi gjithashtu rëndësinë e këtij botimi për profesionistët e së drejtës dhe përgëzoi Avokaturën e Shtetit e cila mendoi për këtë botim duke shprehur gatishmërine e Shkollës së Magjistraturës për të bashkëpunuar në të ardhmen për këtë cështje.
Avokatja e Përgjithshme e Shtetit në fjalën e hapjes tha:
“Më jep kënaqësi të madhe t’Ju uroj mirëseardhjen në emër të Avokaturës së Shtetit dhe për të thënë se sa mirënjohës jemi për prezencën e OSBE-së dhe GIZ Albania, të cilët e kanë pranuar ftesën tonë për të qenë të pranishëm dhe, mbi të gjitha, për bashkëpunimin në projektin e këtij institucioni, për përkthimin dhe publikimin e vendimeve të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, në gjuhën shqipe.
Gjithashtu, dëshiroj të falënderoj Juristët dhe Avokatët e Shtetit, në Avokaturën e Shtetit, si dhe studentët e Fakultetit të Drejtësisë të Tiranës të cilët dhanë ndihmesën e tyre për përmbushjen me sukses të objektivave të këtij projekti.
Projekti i filluar tashmë me sukses, i cili jam e bindur që do të vijojë dhe në të ardhmen, është një inisiativë e jona, në bashkëpunim me Regjistrin e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, për përzgjedhjen, përkthimin dhe publikimin e vendimeve kryesore të Gjykatës Evropiane, në gjuhën shqipe. Synimi i përgjithshëm është realizimi aksesit sa më të madh të institucioneve vendase dhe të publikut, në vendim-marrjet e GjEDNj, jurisprudencën e saj mbi standartet e Konventës e cila, në bazë të Kushtetutës së Shqiperisë dhe jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë, ka edhe vlera të burimit të ligjit..
Aderimi i Republikës së Shqipërisë në Këshillin e Evropës, një ndër institucionet e të cilit është dhe Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, nënshkrimi dhe ratifikimi i Konventës Evropiane “Për të Drejtat e Njeriut dhe Liritë Themelore” dhe i Protokolleve të saj Shtesë, është shoqëruar me detyrimin e Shqipërisë të ekzekutojë vendimet e kësaj gjykate, jo vetëm në aspektin individual, por edhe në lidhje me detyrimet e përgjithëshme të përcaktuara në vendim.
Është Neni 46 i Konventës Evropiane “Për mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore”, i cili parashikon se Palët e Larta Kontraktuese, duhet të marrin përsipër të respektojnë vendimin e formës së prerë të Gjykatës, në çdo çështje ku ato janë palë. Ndryshimet e fundit në Kodin e Procedurës Civile kanë njohur mundësinë e rishikimit të vendimeve mbi bazën e vendim-marrjeve të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Ndërsa, në aspektin penal, kjo rrethanë është rregulluar me vendimmarrje të Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë.
Fuqia dhe Ekzekutimi i këtyre vendimeve është rrjedhojë edhe i parashikimeve Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, të cilat përcaktojnë hierarkinë e normave të së drejtës në Republikën e Shqipërisë; epërsinë e Konventës dhe efektet e drejtpërdrejta të vendimeve të Gjykatës mbi normat e brendshme, të cilat vijnë në kundërshtim me Konventën apo vendimet e Gjykatës.
Një vendim i Gjykatës Evropiane, i cili gjen shkelje të të drejtave të njeriut nga një shtet Palë në Konventë i imponon këtij të fundit një detyrim ligjor, jo vetëm për të paguar shpërblimin e drejtë, ne favor të ankuesit në çështjen konkrete, por edhe për të zgjedhur, nën mbikëqyrjen e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, në mbledhjet e tij për të Drejtat e Njeriut, mjetet e përgjithshme, që do të implementohen në kuadrin e brendshëm ligjor dhe administrativ. Mjete, përdorimi i të cilave, do ti japin fund gjendjes së shkeljes apo shkeljeve të konstatuara nga Gjykata, gjithashtu do të mundësojnë përqase të mëtejshme të legjislacionit dhe të praktikave të brendshme, me Konventën dhe jurisprudencën e Gjykatës.
Jurisprudenca e Gjykatës Evropiane është një mjet i rëndësishëm për të arritur një shkallë të gjerë të harmonizimit të zbatimit dhe të përafrimit të legjislacionit vendor me parashikimet dhe parimet e Konventës. Kjo jurisprudencë, e Gjykatës Evropiane, duhet të nxisë qeverinë, subjekte të tjerë që ushtrojnë inisiativa ligjbërëse, anëtarët e Kuvendit dhe organizma të tjera legjislative, që në fazën e hartimit të legjislacionit, në ballafaqim me praktikën bashkëkohore evropiane, të vlerësojnë nëse iniciativa është në përputhje me Konventën, dhe nëse aktiviteti i tyre ligjbërës është në të njëjtën linjë me gjetjet e Gjykatës Evropiane dhe, me standardet e përcaktuara prej saj në interpretim të normave të Konventës.
Jurisprudenca e Gjykatës Evropiane, tashmë nuk duhet thënë është e nevojshme, por është e domosdoshme, të mbahet parasysh dhe ti shërbejë sistemit gjyqësor, organeve që realizojnë dhënien e drejtësisë, organeve të ndjekjes penale, si dhe stukturave ndihmëse.
Zgjidhjet e dhëna në vendimet e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, nuk kufizohen vetëm në interpretimin e ngushtë të dispozitave të Konventës. Në ato vendime janë të trajtuara institucione të të drejtës materiale dhe procedurale, jo vetëm në lidhje me dispozitat e Konventës, por edhe që i përkasin legjislacionit vendas.
E drejta e jetës, e drejta e pronës, e drejta familjare dhe shumë degë të tjera të së drejtës, të rregulluara në Kushtetutën e Republikës dhe me ligjet përkatëse kanë në themel, të njëjtat parime të mbrojtura nga Konventa.
Vendimet e Gjykatës Evropiane, me problematikat që trajtojnë dhe zgjidhjet që përvijojnë mund të shërbejnë edhe si udhërrëfyes për administratën publike, në veçanti në trajtimin e një procesi të rregullt ligjor, në proceset administrative të të gjitha natyrave.
Avokatët që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në mbrojtje jo vetëm të klientëve, por edhe të procesit të rregullt ligjor, dhe sistemit të drejtësisë në përgjithësi, do të kenë një mundësi më tepër, për të njohur dhe përdorur jurisprudencën e Gjykatës Evropiane, në një fushë të gjerë objektesh dhe tematikash, duke filluar që nga e drejta e privatësisë dhe e drejta e jetës familjare, ballafaqimi i tyre me të drejtën e fjalës së lirë; e drejta për të mos iu nënshtruar torturës apo trajtimit çnjerëzor; e drejta e jetës; e drejta për tubim; të drejtat procedurale të personave të akuzuar apo të burgosur dhe një numër i gjerë të drejtash, themelore dhe procedurale që lindin nga Konventa.
Kjo përmbledhje është botuar me qëllim vënies e saj në dispozicion të profesionistëve në fushën e drejtësisë në Republikën e Shqipërisë, duke përfshirë këtu gjyqtarë të gjykatave të të gjitha shkallëve të gjyqësorit, avokatë dhe profesionistë të ndryshëm të drejtësisë, anëtarë të shoqërisë civile dhe të organizatave të të drejtave të njeriut, institucioneve të ndryshme në fushën e të drejtave të njeriut dhe subjekteve të tjerë të përfshirë në këtë fushë.
Në këto këndvështrime, Avokatura e Shtetit e ka çmuar të nevojshëm përkthimin dhe publikimin e përmbledhjeve vjetore të vendimeve më të rëndësishme të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Duke lënë mënjanë modestinë, ne e vlerësojmë këtë nisiativë të dobishme, me vlera për gjyqësorin shqiptar, për institucionet e tjera të administratës shtetërore, si dhe për individin, inisiativë e cila duhet të vazhdojë të inkurajohet në të ardhmen.”