Deklarata për Shtyp e Avokates së Përgjithshme të Shtetit, Znj. Alma Hicka, në lidhje me kallëzimin penal të bërë ditën e djeshme nga Kontrolli i Lartë i Shtetit:
Mora dijeni dje nga shtypi për një të ashtuquajtur kallëzim penal që Kontrolli i Lartë i Shtetit ka bërë ndaj personit tim, në ushtrimin e detyrës së Avokatit të Përgjithshëm të Shtetit. Ky kallëzim u publikua në media, përpara se në zyrën time të arrinte raporti përfundimtar i kontrollit.
E kuptoj urgjencën e depozitimit ditën e mërkurë, duke pasur parasysh të enjten e akuzave dhe sharjeve, aty ku edhe akuzat e ngritura në të ashtuquajturin kallëzim të KLSH-së, u diktuan disa të enjte me radhë nga porositësi i tyre, në foltoren e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.
Nuk ia vlen asnjë fjalë për kompetencën e këtij të ashtuquajturi auditim me pasojë një të ashtuquajtur kallëzim. Sepse ca gjoja hetues që vinin vërdallë nëpër zyrat tona sa herë nuk kuptonin shënimet që kishin marrë me vete për të mbështetur porosinë, me ngjallin vetëm keqardhje. Por duhet të them dy fjalë për thelbin e kësaj historie politike që ka prodhuar aktin e ulët të këtij procesi auditimi pa asnjë kompetencë profesionale e referencë ligjore. Ju siguroj se çdo njeri me pak mend dhe dy pare zanat nuk do mund të shpjegonte se si janë zgjedhur individët e kallëzuar, përfshirë edhe mua personalisht, kur grupi i punës për negociata përbëhej nga rreth 15 persona.
Akuzat për mua në fakt kanë filluar një vit më parë në sallën e Kuvendit, ku në vazhdën e turpshme të fjalimeve me libër shtëpie për kundërshtarët realë apo imagjinarë, u përmend edhe bashkëshorti im. Për shkakun tim natyrisht, bashkëshorti im quhet ndryshe nga bashkëshorti që caktoi për mua prodhuesi i mirënjohur i akuzave, shpifjeve e sharjeve në Kuvend. Akuzat pastaj u përshkallëzuan në përgojimin tim lidhur me përfshirjen e studios Clifford Chance në çështjen DIA, ndërkohë që është tërësisht e qartë dhe publike që çështja DIA nuk u ndoq asnjëherë në arbitrazh nga Avokatura e Shtetit.
Në fakt, duke e njohur në qelizë materien e gjithë çështjes CEZ, unë dua të shpresoj se engjëjt e sotëm do të përgjigjen përpara drejtësisë për djallëzitë e djeshme. Shkaktarët e vërtetë të dëmeve ndaj interesave të shtetit që në përfundim janë interesat tona të përbashkëta, duhet të hetohen e të marrin atë që u takon nga drejtësia. Si profesioniste mund të them me siguri se çështja CEZ e ka gjenezën tek mënyra e privatizimit, tek marrëdhëniet klienteliste me investitorin gjatë qëndrimit të tij këtu dhe tek ekseset e paligjshme të epilogut të një marrëdhënieje të sëmurë Shtet – CEZ. Këto janë shkaqet që prodhuan përfundimisht dështimin e privatizimit.
Shpresoj gjithashtu që Prokuroria të gjejë kurajën t’i jap fund një herë e mirë kallëzimeve politike duke vendosur si një standard të punës së saj të përditshme marrjen në përgjegjësi penale të kallëzuesve të rreme, si e vetmja zgjidhje për të frenuar përdorimin e saj për sulme të mirëfillta politike.
Së fundi, për sa më takon, jam krenare që kam kontribuar në një operacion shpëtimi për shtetin tim dhe të fëmijëve të mi, falë të cilit Shqipëria i shpëtoi një dëmi financiar marramendës dhe sektori i energjisë u çlirua nga një tumor që rrezikonte t’i merrte jetën.