Editorial për revistën “Komunikojmë”

Avokatja e Përgjithshme e Shtetit, Znj. Alma Hicka është autore e editorialit të numrit të 15-të të buletinit të përbashkët tremujor “Komunikojmë”. Kjo revistë është një buletin i projekteve të donatorëve që mbështesin aktivisht reformën në sistemin e drejtësisë në Shqipëri, me synim rritjen e efektshmërisë, përgjegjshmërisë dhe transparencës së tij, si dhe të qasjes së publikut dhe besimit që ai ka te ky sistem drejtësie.

Më poshtë editoriali i shkruar nga Znj. Hicka:

Të nderuar lexues,

Avokatura e Shtetit, e ngritur me ligj të posaçëm që prej 15 vitesh tashmë, është institucioni i ngarkuar ekskluzivisht me dhënien e ndihmës juridike për institucionet shtetërore dhe entet publike, si shërbim këshillimor dhe përfaqësim ligjor në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar. Në fushën e të drejtave të njeriut, Avokatura e Shtetit ka një rol aktiv në propozimin e zgjidhjeve për problematikat e konsideruara shkelje nga vendimet e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, kryesisht duke asistuar Ministrinë e Drejtësisë, por edhe institucione të tjera, si një urë lidhëse mes Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës dhe qeverisë shqiptare, me qëllim final respektimin e këtyre të drejtave në Republikën e Shqipërisë.

Në mbrojtjen e çështjeve, Avokatura e Shtetit ka si qëllim kryesor uljen e numrit të gjykimeve, duke forcuar rolin këshillimor ndaj institucioneve publike. Një prezencë më e madhe e Avokaturës së Shtetit në procedurat paraprake dhe një këshillim më i mirë ligjor i institucioneve krijojnë më shumë qartësi për të drejtat dhe detyrimet, si dhe më pak konflikte. Gjithashtu, prioritete mbeten organizimi i procedurave të konkursit të pranimit dhe hartimi i kodit të etikës dhe i sistemit të vlerësimit të avokatëve të shtetit, me qëllim ngritjen e sistemit të karrierës mbi baza objektive dhe në përfundim, rritjen e kapaciteteve të institucionit.

Avokatura e Shtetit synon të japë kontributin e saj dhe në edukimin e brezave të rinj të avokatëve, të aftë të shërbejnë me efikasitet në një fushë specifike siç është mbrojtja e interesave pasurore të shtetit. Për këtë qëllim, Avokatura organizoi këtë vit, për të parën herë, programin e Praktikës Profesionale të Studentëve të Drejtësisë me pjesëmarrjen e studentëve nga Universiteti i Tiranës. Shpresojmë që suksesi i këtij programi të frymëzojë dhe institucionet e tjera, duke e kthyer në traditë bashkëpunimin midis arsimit të lartë dhe administratës publike.

Sinqerisht,

Alma Hicka
Avokate e Përgjithshme e Shtetit

Për të lexuar të plotë këtë buletin, klikoni këtu: http://www.justforumalbania.org/site/komunikojme15