NJOFTIM PËR SHTYP
Një tjetër fitore e Shqipërisë në ICSID
Në Dhjetor 2016, Shqipëria u padit në ICSID (Qendra Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve nga Investimet) nga Anglo Adriatic Group Limited për mosmarrëveshje të pretenduara si të lindura nga investime të mbrojtura nga Konventa e ICSID dhe ligji nr. 7764 dt. 02.11.1993 “Mbi Investimet e Huaja”. Pretendimet e Paditësit arrinin në qindra milionë dollarë.
Shqipëria paraqiti kundërshtime mbi juridiksionin e Qendrës Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve nga Investimet duke parashtruar, ndër të tjera, se investimi i pretenduar nga Paditësi nuk përfaqësonte një investim të mbrojtur nga Konventa e ICSID dhe ligji shqiptar për investimet e huaja.
Trupa e gjykimit në arbitrazh vendosi përfundimisht mbi mosmarrëveshjet, në favor të Shqipërisë duke përcaktuar se investimi i pretenduar nuk gëzonte as mbrojtjen ndërkombëtare të Konventës së ICSID dhe as mbrojtjen kombëtare dhe ndërkombëtare të siguruar nga ligji shqiptar për investimet e huaja.
Gjithashtu Paditësi u urdhërua të rimbursojë kostot administrative të arbitrazhit të paguara nga Shqipëria.