Procesi i njohjes dhe ekzekutimit të vendimeve të huaja të arbitrazhit në Shqipëri

EZH_2292

Në datë  27 Tetor 2016 , ICC Albania në bashkëpunim me Optima Legal & Financial organizoi një forum të formatit (ICCYAF) me temën kryesore: “Roli dhe funksioni i gjykatave në proceset e arbitrazhit’’.

Në panelin e këtij forumi ishte edhe Avokatja e Përgjithshme e Shtetit, znj. Alma Hicka, e cila foli mbi eksperiencën e Avokaturës së Shtetit në procesin e njohjes së vendimeve përfundimtare të arbitrazhit në Shqipëri.

EZH_2376 Në fjalën e saj, Avokatja e Përgjithshme tha se  Avokatura e Shtetit është institucioni i ngarkuar me përfaqësimin e interesave të shtetit në procedimet e arbitrazhit të huaj apo ndërkombëtar, dhe në kuadër të këtyre kompetencave ka një përvojë të akumuluar edhe në procesin e njohjes dhe zbatimit të vendimeve të huaja të arbitrazhit. Pikërisht këtë përvoje të përftuar Avokatja e Përgjithshme e Shtetit e ndau me pjesëmarrësit në seminar.

Në terma më konkretë, Avokatja e Përgjithshme e Shtetit, pasi parashtroi një kuadër të përgjithshëm informues mbi bazën ligjore ndërkombëtare dhe vendase ekzistuese të procesit të njohjes dhe zbatimit të vendimeve të huaja të arbitrazhit, tërhoqi vëmendjen e pjesëmarrësve mbi mangësitë dhe/ose ngërçet procedurale të legjislacionit shqiptar të zbatueshëm, duke paraqitur edhe raste konkrete të materializimit të këtyre mangësive dhe ngërçeve procedurale.