Shpallje vende vakante në Avokaturën e Shtetit

AVOKAT SHTETI NË ZYRËN E KËSHILLIMIT DHE KOORDINIMIT NDËRMINISTROR

Avokatura e Shtetit është institucion qendror i administratës publike, i ngarkuar ekskluzivisht për dhënien e asistencës juridike për institucionet shtetërore dhe entet publike. Asistenca juridike përfshin shërbimin këshillimor dhe të përfaqësimit.

Në mbështetje të organikës dhe strukturës aktuale të Avokaturës së Shtetit,  miratuar  me urdhrin nr. 150, datë 10.11.2015 të Kryeministrit të RSH-së “Për disa ndryshime në Urdhrin nr. 98 dt. 21.02.2014 “Për miratimin e strukturës dhe organikës së avokaturës së shtetit”, si dhe në referim të ligjit nr. 10018, datë 13.11.2008 “Për Avokaturën e Shtetit”, të nenit 25, pika “4” të Rregullores së Brendshme të Avokaturës së Shtetit, miratuar me urdhrin nr. 275/1, datë 14.01.2009 të Ministrit të Drejtësisë, Avokatura e Shtetit shpall vend vakant për pozicionin “Avokat Shteti” pranë Avokaturës së Përgjithshme të Shtetit në Zyrën e Këshillimit dhe Koordinimit Ndërministror. .

Kushtet dhe kriteret e aplikimit:

1. Avokat i Shtetit mund të emërohet çdo shtetas shqiptar, që plotëson kushtet e mëposhtme:

a) Të jetë diplomuar sipas sistemit të vjetër me titullin “Jurist” ose sipas sistemit të ri të disponojë gradën “Master i Shkencave”.

b) Të ketë një përvojë pune në praktikën gjyqësore ose administrative prej të paktën 5 vitesh;
c) Të mos jetë i dënuar me vendim gjykate të formës së prerë, për kryerjen e një vepre penale, ose të mos jetë larguar nga shërbimi civil apo çdo funksion tjetër publik për shkelje ose paaftësi në kryerjen e detyrave;

d) Të mos jetë në kushtet e konfliktit të interesit, sipas dispozitave të këtij ligji;

e) Të plotësojë kriteret e tjera morale dhe profesionale.

f) Të njohë një nga gjuhët në vijim: Anglisht, Frëngjisht, Gjermanisht ose Italisht.

2. Në rastin e shtetasit shqiptar, të diplomuar për drejtësi, me rezultate të larta, në universitete të njohura të huaja, apo të diplomuar në shkolla pasuniversitare, ekuivalente me Shkollën e Magjistraturës, kushti i përvojës në punë, i përcaktuar në shkronjën “b” të pikës 1 të këtij neni, është të paktën 3 vjet.

3. Të diplomuarit në Shkollën e Magjistraturës përjashtohen nga kushti i përvojës në punë, të përcaktuar në shkronjën “b” të pikës 1 të këtij neni.

Përshkrimi i përgjithshëm i punës (detyrat kryesore) për këtë pozicion janë:

Avokatët e shtetit të kësaj zyre:

a)      Koordinojnë këshillimin e organeve të administratës shtetërore dhe të enteve publike, sipas rregullave të miratuara nga Avokati i Përgjithshëm i Shtetit për këtë qëllim;

b)      Raportojnë lidhur me kontradiktat midis mendimeve këshillimore të zyrave vendore të Avokaturës së Shtetit dhe i propozojnë Avokatit të Përgjithshëm zgjidhje për çështjet e parashtruara, për të garantuar unitetin e doktrinës;

c)      Raportojnë lidhur me kontradiktat midis mendimeve këshillimore të avokatëve të shtetit pranë ministrive dhe i propozojnë Avokatit të Përgjithshëm zgjidhje për çështjet e parashtruara, për të garantuar unitetin e doktrinës;

d)     Bëjnë sugjerimet e nevojshme për ndërmarrjen e nismave ligjore, me qëllim që Avokati i Përgjithshëm i Shtetit t’i propozojë Ministrit të Drejtësisë;

e)      Bëjnë propozimet e nevojshme për koordinimin e aktivitetit këshillimor të avokatëve të shtetit nëpër ministri dhe kryejnë funksione të tjera koordinuese në këtë fushë, që do t’i ngarkohen nga Avokati i Përgjithshëm i Shtetit;

f)       Bëjnë kryesisht këshillimin e kontratave me rëndësi të veçantë ose me kërkesë të avokatëve të shtetit pranë ministrive, me miratimin paraprak të Avokatit të Përgjithshëm të Shtetit;

g)      I propozojnë Avokatit të Përgjithshëm të Shtetit nxjerrjen e udhëzimeve lidhur me ushtrimin e funksionit këshillimor nga ana e zyrave vendore të Avokaturës së Shtetit;

h)      Kryejnë çdo detyrë tjetër të ngarkuar nga Avokati i Përgjithshëm i Shtetit në përputhje me legjislacionin në fuqi.

i)        Paga referuese për këtë pozicion II-b + 10 000

Dokumentacioni, mënyra dhe afati i dorëzimit

  • Jetëshkrim i plotësuar në përputhje me formatin Evropian.
  • Fotokopje të diplomës (përfshirë edhe diplomën Bachelor). Për diplomat e marra jashtë Republikës së Shqipërisë të përcillet njehsimi nga Ministria e Arsimit dhe e Sportit;
  • Fotokopje të librezës së punës (të gjitha faqet që vërtetojnë eksperiencën në punë);
  • Fotokopje të letërnjoftimit (ID);
  • Vërtetim të gjendjes shëndetësore;
  • Vetëdeklarim të gjendjes gjyqësore;
  • Vlerësimin e fundit nga eprori direkt;
  • Vërtetim nga institucioni që nuk ka masë disiplinore në fuqi;
  • Çdo dokumentacion tjetër që vërteton trajnimet, kualifikimet, arsimin shtesë, vlerësimet pozitive apo të tjera të përmendura në jetëshkrimin tuaj;

Dorëzimi i dokumenteve mund të bëhet në adresën e Avokaturës së Shtetit si më poshtë:

Avokatura e Shtetit
Rr. Abdi Toptani, Nd. 5, Kati IV.
Tiranë, Shqipëri

Ose në adresën e emailit: kabineti@avokaturashtetit.gov.al

Afati për aplikim është data 15 Shkurt 2018.